fbpx

Shkendije Berisha-Pacolli: Të mohosh origjinën – e mohon vetveten!

nga Revista Kosovarja

Shkendije Berisha Pacolli është lindur në fshatin Pozhar të Deçanit. Shkollën fillore dhe arsimimin e mesëm i kreu në vendlindje, kurse studimet për psikologji në Sllovaki.

Pas diplomimit është shpërngulur në Gjermani, ku jeton dhe punon qe 26 vjet. Është e martuar dhe nënë e dy vajzave: Leonites (21 vjeçe) dhe Lorenes (12 vjeçe).

“E edukuar dhe e rritur në frymën e pleqnarëve të Dukagjinit, përkatësisht Pozharit, pasardhës të Demë Ali Pozharit, mua si fëmijë më ishte ngulitur në mendje njëra ndër thëniet e tyre se popullin tonë mund ta qojmë përpara me tri gjëra: me pushkë, bukë dhe penë, ose në gjuhën zyrtare: ushtria, ekonomia dhe arsimi.
Unë edhe ashtu isha e bekuar me dy prindër mësimdhënës, andaj zgjodha arsimin, ku edhe sot ajo që më përmbushë është leximi dhe studimi i vazhdueshëm, duke kujtuar fjalën e Sokratit se “E di që nuk di asgjë”.

Grua e fortë, e pathyeshme
Shkendije Berisha, femër me arritje në të gjitha aspektet, tregon se qysh në moshën e rinisë, pas leximit të romanit “Sikur t’isha djalë” të Haki Stërmillit, kishte ndjeja të një rebelizmi për luftimin e pabarazisë gjinore.
“Duke arsyetuar bindjet dhe besimet e mia të ngulitura në ndërdijen time nga edukimi, unë, gjithmonë, duke qenë falënderuese për faktin se pata fatin të vazhdoj gjimnazin, prapë heshtja dhe ngushëlloja vizionin tim me vargjet “Sikur t’isha djalë”, e t’i tregoja botës se dora që përkund djepin është dora që përkund fatin e njerëzimit.
Por, jam vajzë dhe si e tillë nuk mundem të nxjerrë zërin, andaj prapë e ngushëlloja veten “Sikur t’isha djalë”.
Dhe, duke qenë nga fshati e duke i vazhduar studimet në një metropol si Bratisllava, bindja ime se për të arritur diçka në jetë nuk duhet të jesh medoemos djalë, filloi të zbehet”, thotë Shkendija, imazhi i faqes së parë të “Kosovares”.
E inspiruar dhe e frymëzuar nga mësimet psikologjike, me një vizion më të qartë dhe më e vendosur se kurrë më parë, ajo shpërngulet në Gjermani, për t’i vazhduar studimet Master, me qëllimin që të kthehet në Kosovën e saj të dashur, për të kontribuar në rritjen e vetëdijes për rëndësinë e barazisë gjinore.

E, çka ndodhi?
“Si shumë herë në jetë kur bëjmë plane, atëherë jeta na buzëqeshë me ironi ose, siç thotë John Lennon, “Jeta është ajo që ndodh përderisa ti je i zënë duke bërë plane tjera”.
Sikur edhe shumë shqiptarëve të tjerë, edhe mua në ato vite të vështira që i kaloi populli ynë, planet e mia morën kah tjetër.
Mirëpo, në jetë asnjëherë nuk mund t’i kemi krejt, ose jo të gjitha në të njëjtën kohë.
Edhe pse në të 40-at i përfundova “obligimet” familjare, arrita një standard të jetesës që as që e kisha ëndërruar.
Por, shpirtërisht nuk isha e plotësuar, se diçka thellë në mua nuk ishte në harmoni me vlerat e mia, me vizionin tim të fëmijërisë dhe, kështu, fillova të pyes veten se çfarë është kjo…
Në atë kohë isha e punësuar 10 vjet në një repart të kancerit, ku shoqëroja nga ana psikologjike pacientët që ishin buzë vdekjes.
Isha shumë kurioze dhe e interesuar të di se çfarë do të kishin lënë amanet për ne të “gjallët”, pacientët që po e lënin këtë botë…
Nuk di a ishte një lloj impulsi për ardhmërinë time, por unë dëgjoja gjithmonë të njëjtat pendime se shumica ishin të penduar dhe të mërzitur që nuk kanë pasur guxim t’u qëndrojnë besnik ëndrrave dhe vizioneve të tyre, por kanë zgjedhur jetën që të tjerët kanë pritur prej tyre.
Dhe, kjo ishte shumë reale, sepse edhe mua më mungonte guximi. Unë, në të vërtetë, isha rehat në zonën time të komforit, por prapë vizioni im më pëshpëriste se tani nuk mund të thuash “Sikur t’isha djalë”. Tani ose do të fillosh të rrezikosh e që mund të shkatërrosh çdo gjë që ke ndërtuar deri më tani ose do ta gëlltitësh ëndrrën tënde dhe do ta shkatërrosh veten.
Me gjithë frikën marramendëse dhe dilemat që kisha, mora guximin dhe i vazhdova studimet në Hamburg për Këshilltare të Psikologjisë.
Dhe, pasi i përfundova, hapa ordinancën time private dhe fillova nga zero.
Çuditërisht, kur ne i kthehemi esencës tonë dhe fillojmë të jemi ata që në të vërtetë jemi, atëherë ndodhin mrekullitë.
Unë, tash, në moshën 47-vjeçare, ndihem më e lumtur se kurrë dhe krenare që kam nisur udhëtimin tim, duke mbështetur shumë njerëz në rrugëtimin e tyre e duke qenë shembull për shumë femra, e në radhë të parë për vajzat e mia.
Andaj, asnjëherë nuk është vonë të fillojmë të sjellim në botë atë për çka kemi lindur dhe të mos harrojmë se ne nuk jemi përgjegjës për bindjet dhe besimet tona si fëmijë, por si të rritur për riparim të këtyre bindjeve kemi përgjegjësinë qind për qind”.
Shkendija shton se ndihet shumë me fat që ka mundësinë që këtë frymëzim dhe motivim mund ta sjellë te bashkatdhetarët në gjuhën shqipe.
Ajo, po ashtu, është anëtare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, këshilltare e lartë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrjetit Intelektual Shqiptar në Gjermani dhe, së fundi, shumë krenare që është femra e parë anëtare e Kryesisë së Unionit të Bizneseve Shqiptare-Gjermane në Gjermani.
“Paralelisht jam në studime dhe kërkime shkencore për krizën e viteve të mesme, e ashtuquajtura “Midlife Crissis”, të cilën edhe e trajtoj si profesioniste.
Jam një femër shqiptare me vlera kombëtare dhe me një mision në kontributin e barazisë gjinore, gjë që është shumë më rëndësi për zhvillimin tonë si shoqëri që ka meshkuj dhe femra të jashtëzakonshëm dhe një rini të paparë”.
Por, Shkendijen e vendosëm edhe para një pyetësori dhe ja si u përgjigj…

Si e kujton fëmijërinë?
– Fëmijëria ime ka qenë sa e mirë, në të njëjtën kohë jo edhe aq e lehtë, me faktin se unë isha fëmija i parë dhe pas meje edhe katër vëllezër e motra, të cilët kërkonin edhe kujdesin tim, shkaku se mami (ndjesë pastë) punonte mësuese.
Kam filluar shumë herët të përballem me përgjegjësinë, që edhe sot jam falënderuese që ky virtyt më është kalitur nga vetë jeta në personalitetin tim.

Pak për vajzat tua?
– Gjithmonë janë në radhë të parë vajzat e mia, pasi që edhe ndodhen në një moshë delikate, edukimi i tyre për rëndësinë e familjes dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, shkaku se në Perëndim nuk është gjithmonë e lehtë.

Na fol pak më shumë për Unionin dhe pozicionin tënd aktual?
– Qëllimi i Unionit të Bizneseve është krijimi dhe fuqizimi i rrjetëzimit për kompanitë dhe institucionet gjermano-shqiptare, si një urë lidhëse në promovimin dhe zhvillimin ekonomik, po ashtu social në relacionin ndërmjet mërgatës dhe viseve shqiptare, si dhe krijimi dhe mbajtja e bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të Unionit në Gjermani.
Ndërsa, unë, që nga dhjetori i vitit 2022, jam emëruar anëtare e Kryesisë së Unionit të Bizneseve, ku edhe jam shumë mirënjohëse dhe, njëkohësisht, krenare, meqë jam edhe femra e parë në Kryesi pas një dekade.

Sa mendon se janë të integruara femrat shqiptare në Diasporë?
– Duke pasur parasysh potencialin dhe kapacitetin e femrës shqiptare, mendoj se kemi nevojë për një progres në integrim, gjithashtu edhe një mbështetje nga gjinia e kundërt.
Femra shqiptare në Diasporë nuk shpalosë as gjysmën e kapaciteteve që posedon.

Ju, konkretisht, çfarë bëni për integrimin, avancimin a motivimin e femrës shqiptare në Diasporë?
– Përpos angazhimit profesional në motivimin, frymëzimin dhe mbështetjen e femrës, unë nga muaji mars do të filloj me mbajtjen e seminareve për rritjen e zhvillimit personal.
Po ashtu, qëllimi kryesor në kyçjen në UB-ve ka qenë mu rritja e avancimit për pjesëmarrjen e grave në botën e biznesit në Gjermani, me faktin se shumë femra kanë bizneset e tyre dhe janë shumë të suksesshme.
Gjithashtu, planifikojmë që në kuadër të UB-ve ta rrisim bashkëpunimin me femrat afariste nga trojet shqiptare, duke u krijuar mundësi për avancimin e bizneseve edhe në Gjermani.

E, përtej punës?
– Jam e martuar qe 26 vjet. Jam nënë e dy vajzave: Leonites (21 vjeçe) dhe Lorenes (12 vjeçe).
Kam ordinancën time private dhe, njëkohësisht, mbështes bashkëshortin në biznesin e tij.
Nuk e di nëse mund të them që jam edhe
afariste e mirë. Nuk është se më pëlqen të flas për veten time, pasi veprimet tona flasin më shumë se fjalët tona, por qëllimi ynë ndërton më shumë se të dyja së bashku.

Pasionet tua?
– Harmonia dhe krijimi i saj në marrëdhëniet ndërnjerëzore, sidomos në ato bashkëshortore dhe familjare, mandej studimi i komunikimit, si dhe rëndësia e tij në shoqërinë tonë, duke vazhduar me filozofinë, psikologjinë e njeriut dhe spirtualitetin.

A jeni e mirë në kuzhinë?
– Po, konsideroj se jam kuzhiniere dhe nikoqire shumë e mirë dhe gatuaj me shumë dëshirë e pasion, sidomos kuzhinën tradicionale.

A të mungon diçka?
– Po, më mungon dashuria e pakushtëzuar që kam marrë nga mami im, e cila qe gjashtë vjet nuk është në mesin tonë.

Gjëja më e bukur në jetë?
– Vetë jeta, si dhurata më e bukur, e mbështjellë me dashuri e shëndet.

Mesazhi yt?
– Mesazhi im, e që dua ta përcjellë, bazohet në thënien e Naim Frashërit se “Kombi që humb vetëdijen për të kaluarën e tij, gradualisht humb edhe veten e tij”.
Kështu, guximi dhe vlerat tona shekullore, e që mua, fillimisht, më kanë sjellë këtu ku jam, por dëshira ime do të ishte që edhe në të ardhmen të kem mundësinë të jap maksimumin në mbështetjen e gruas, e, po ashtu, edhe të burrit, që së bashku të jemi të fortë dhe të arrijmë progres të denjë në shoqërinë tonë.
E, që vizioni im të marrë fuqi, duhet të jenë të dy duart të barabarta për të përkundur djepin dhe fatin e shoqërisë, duke ndërtuar vetëdijen kolektive, ku, së bashku, mashkulli dhe femra janë ata që ndërtojnë ardhmërinë e një populli.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]