Dhuna verbale dhe fizike ndaj punonjësve shëndetësorë, edhe pse e papranueshme, vazhdon të ndodhë në institucionet publike. Një rast i tillë ka ndodhur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, ku një doktoreshë është sulmuar fizikisht nga një paciente, brenda objektit të institucionit dhe gjatë orarit të punës.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 24 prill 2025, rreth orës 11:00, kur doktoresha e qendres teksa po kryente kontroll mjekësor ndaj një pacienti, është ndërprerë nga një paciente që ndodhej në korridor.
E nervozuar dhe e pakënaqur me kohën e pritjes, e dyshuara ka shpërthyer me të bërtitura, duke thënë: “Që tri orë jam duke pritur!”, dhe më pas ka hyrë në dhomë, ku e ka shtyrë doktoreshën dhe e ka goditur me shuplakë në fytyrë.
Doktoresha ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe ka paraqitur raport zyrtar për lëndimin e pësuar. Sipas deklarimeve të dy dëshmitareve e sulmuara kishte vepruar me qetësi dhe profesionalizëm, duke u përpjekur ta qetësonte situatën.
Identiteti i pacientes agresore ende nuk është konfirmuar, por sipas informacioneve, në objekt ka kamera sigurie, të cilat do të përdoren nga njësia e Hetimeve për identifikim dhe ndjekje penale.
Pas konsultimit me Prokurorin , rasti është hapur si “Sulm ndaj personit zyrtar”, duke qenë se viktima ka qenë në detyrë dhe në funksion shëndetësor publik në momentin e incidentit.
Ky rast ngre alarmin për nevojën urgjente të mbrojtjes institucionale të stafit shëndetësor, që çdo ditë përballen me stresin e punës dhe ngarkesën e qytetarëve, ndërkohë që shpesh mbeten të pambrojtur përballë agresionit të paprovokuar./Sinjali