fbpx

Shpërthime afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut e Zveçan, s’ka të lënduar

nga Revista Kosovarja

Një ngjarje aspak e mirë ka ndodhur në veri të Kosovës. Veton Elshani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, e ka konfirmuar për Radio Evropën e Lirë, se gjatë natës së kaluar janë dëgjuar shpërthime në afërsi të stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Siç raporton ky medium, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se me shumë gjasë bëhet fjalë për shokë-bomba, teksa kanë shtuar se nuk ka të lënduar.

Për këto shpërthime është hapur një hetim, ndonëse ende nuk ka asnjë të dyshuar për shpërthimet e natës së mbrëmshme. Këto shpërthime ndodhin pas tensioneve të shtuara kohëve të fundit në veri të Kosovës, e cila kulmoi me kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga ana e Serbisë.

Dje gjatë raportimin në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti tregoi se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, që u vlerësua si akt i dhunshëm i Serbisë, duke thënë se kidnapimi i tyre erdhi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Milun Milenkoviqit, i njohur si Llune, e që dyshohet për vepra të ndryshme penale.

“Sot dëshiroj që të fillojë këtë fjalë timë në kuadër raportimit para Kuvendit të Kosovës, duke rikujtuar që situata në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës është rezultat i përplasjes së dy paradimgave, asaj të sundimit të kushtetushmërisë dhe ligjërshmisë dhe asaj të sundimit të grupeve krminale, të cilat kanë edhe primesa dhe premisa të fashizmit si ideologji e milicisë, si shprehje e dhunës ndaj institucioneve legjitime.” – tha në hyrje Kurti.

Shefi i ekzekutivit i kritikoi edhe ndërkombëtarët për heshtjen e tyre.

“Unë kam pasur bisedime telefonike edhe mbrëmë me Gabriel Escobar, Jeffrey Hovenier dhe këtu po vi nga një takim i përbashkët me të gjithë ambasadorët, zv/ambasadorët e misioneve dhe diplomatët e tjerë. Ku gjerë e gjatë ua shpjeguam duke i informuar për dje dhe sot. Dhe, tash 30 orë nga kidnapnimi i tre policëve dhe ende nuk kemi deklaratë zyrtare dhe shpjeguese nga KFOR’i të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjeve ua shpreha edhe protestën time por edhe kërkesën për reagim urgjent”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, në lidhje me këtë temë, pra fatin e tre policëve kosovarë, dje kanë folur edhe ndërkombëtarët.

Çka thanë ndërkombëtarët?
Në një konferencë për medie, Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka theksuar se ShBA-ja pret nga palët, Kosova e Serbia, të marrë hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Tutje, ai theksoi se ShBA-ja kërkon lirimin pa kushte të tre policëve të kidnapuar në veri të Kosovës nga Serbia.

“Pritshmëritë tona për të dyja palët, janë që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës të ndaluar së fundmi. Ne besojmë se të dyja palët duhet të ndjekin planin me tre pika që është përshkruar nga BE pa vonesë. Si pjesë e kësaj, siç kemi folur më parë, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga vende alternative dhe të tërheqin forcat policore. Ne vazhdojmë të dënojmë dhunën e papranueshme kundër trupave të udhëhequr nga NATO, ndaj forcave të rendit dhe gazetarëve. Dua të shtoj se ne vijojmë të jemi të angazhuar drejtpërdrejt si me të dyja palët ashtu edhe me partnerët tanë në rajon. Sekretari Antony Blinken ka pasur biseda me partnerët në rajon për këtë çështje.” – deklaroi Miller në një konferencë për shtyp.

Ndërsa, Josep Borrell, shef i diplomacisë së Bashkimit Evropian, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka treguar se javën tjetër do t’i ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim, të cilin ai e cilësoi si takim për të “menaxhuar krizën”.

“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi, unë do t’i ftoj të dyja palët për takim të menaxhimit të krizës këtu në Bruksel javën tjetër.” – deklaroi ai.

Por kryediplomati i BE-së u prononcua edhe për kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia, duke e cilësuar këtë agresion si “incident”, ndërsa kidnapimin e tyre si “arrestim”.

“Këto ditë, bashkëpunimi, dua të falenderoj KFOR-in për atë çfarë kanë bërë në veri të Kosovës, ka pasur një incident, arrestimi i tre policëve nga Kosova. Po tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur jemi në kontakt me komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët për të parë se çfarë ndodhi, çfarë solli në këtë arrestim.” – shtoi ai.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]