Vala

Virtytet profesionale tashmë të krijuara me viciozitet, shpirt human dhe skofjaritet e modesti profesionale të kirurgut Fazli Shala, e që në kohën kur e bëmë bisedën punonte si specialist i kirurgjisë në Spitalin Regjional të Pejës, janë të pamohueshme.

Me dr. Fazli Shalën zhvilluam një bisedë të gjatë për revistën tonë, në zyrën e tij, veçanërisht për kohën kur ishte mjek lufte në Koshare, shkruan “Kosovarja”.

Çfarë do të thotë për ju të jesh kirurg?
– Kirurgu dallon nga “gradat” tjera të mjekësisë, të të gjitha kategorive, sepse kirurgu, patjetër, duhet të ketë kondicion fizik dhe psikik.

Kirurgu është në gatishmëri 24 orë, nën presionin e rasteve urgjente patologjike të shkallëve të ndryshme dhe nën dhunën e të menduarit të saktë të veprimit, si: intervenimi me kohë, mënyra e veprimit, përgatitja psikike e pacientit, komplikimet gjatë operacionit, mungesën e mjeteve mjekësore etj.

Por, kur përfundon gjithçka me sukses, dukesh njeriu më i lumtur në botë dhe fitohet energji për raste të reja.

Profesionin e kirurgut e punon me dëshirë apo për ekziston jetësore?
– E kam pasion kirurgjinë. Edhe pse mendoj se jam rastësisht në këtë profesion. Kishte dy vjet (1996) që kisha diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe pas largimit me dhunë nga Kosova (1998) u gjenda në Shqipëri.

Planifikova ta filloja specializimin atje, por ende nuk isha përcaktuar konkretisht për lëmin mjekësor. Në Fakultetin e Mjekësisë në Kirurgji ishte afati i fundit për specializantet dhe i dorëzova dokumentet. Hyra në provimin pranues dhe dola i katërti në listë.

Si e kujtoni fillimin e karrierës si kirurg i specializuar?
– Me fillimin e luftës edhe unë u mobilizova dhe isha bashkë me mjekun Mustafë Shala (tani i ndjerë) në shërbimin publiko-civil në fshatrat e regjionit të Pejës: Loxhë, Graboc (nga jam edhe unë) dhe Raushiq.

Pastaj, kreva një praktikë profesionale në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe një vit specializim në Universitetin e Tiranës. Më vonë përfundova specializimin në Universitetin e Prishtinës, ku mora titullin kirurg i specializuar (2004).

Dhe, që nga ajo kohë i kam shërbyer popullit tim në Spitalin Regjional të Pejës.

Kur flasim për luftën në Kosovë, a ishte edhe mjekësia kosovare e organizuar mjaftueshëm për të intervenuar në çdo rast?
– Po, kemi intervenuar në çdo rrethanë. Aty fillova hapat e parë të punës, hapa një ambulancë në Graboc, ndërsa Mustafë Shala hapi një ambulancë në Loxhë. Nuk kishte ende organizim ushtarak, po ne e trajtonim me kujdes gjithsecilin rast.

Pas rënies së Loxhës, shkuam në Broliq, ku ishte një organizim mjekësor i mirë, madje ishte edhe një ambulancë. Aty kishte invazion rastesh, sepse e gjithë popullata e rajonit të Dukagjinit ishin mbledhur aty.

Kemi pasur deri në 300 raste në ditë, madje edhe të plagosur, meqë ato ditë ishte një valë bombardimesh i artilerisë serbe mbi popullatën shqiptare.

Pastaj, u angazhova në spitalin e Kryshecit, derisa u rrethuam nga të gjitha anët nga policia serbe. Të plagosurit i tërhoqëm në xhaminë e Isniqit, ndërsa popullata u tërhoqë në Isniq e Dubovik.

Një kujtim nga koha e luftës?
– Një ditë u detyrova t’ia vidhja disa ampula një mjekeje norvegjeze, që ishte me “Kryqin e Kuq Ndërkombëtar”. Nuk më hetoi, por, pas dy ditësh, më tha: “M’i ke vjedhur barërat!”.

I thashë: “Nuk i kam përdor për vete e as për të përfituar, por për nevojat e pacientëve”.

Po në kohë lufte (1998) ishe në Shqipëri. Si ndodhi që u gjende atje?
– Me kërkesën e dr. Rrustem Shalës u largova nga Krysheci. Dhe, pas situatës së krijuar, kur forcat serbe e kontrollonin terrenin e asaj pjese të Pejës (shtator 1998) ne gjetëm mundësinë të kalonim në Qyshk, pastaj në Radavc, më pastaj në Dubovë e përmes bjeshkëve hymë në Rozhaj. Dhe, kështu depërtova në Shqipëri…

Më duhej të largohesha, sepse më tha edhe mjeku Rrustem Shala: “Duhet të jesh në regjistrat e policisë serbe dhe kapja do të jetë fatale”.

Si u gjetët në Shqipëri?
– Shkova atje me diplomën e mjekut, me një uniformë mjeku e stetoskop. Atje hasa në emra të mëdhenj të mjekësisë së Shqipërisë dhe njerëz me shpirt human e njerëzor.

Në Spitalin Ushtarak të Tiranës gjeta ngrohtësi dhe kushte maksimale që m’i “dhuroi” Spiro Dedja.

Aty, bashkë me disa mjekë kosovarë, mbajtëm një trajnim intensiv me pretekst hyrjen në Koshare. Ishin aty edhe Time Kadrijaj, Ilirjana Hasaj, Skënder Ahmetaj, Ryve Loshi, Bajram Zeqiri, Haxhi Kameri, Afrim Sylejmani.

Ushtrimet bëheshin enkas për raste lufte, a?
– Mjekët e spitaleve të Tiranës, e veçanërisht ata të Spitalit Ushtarak, ishin në gatishmëri. Nga Tirana shkonim kohë pas kohe në Kolsh dhe Kalimash. Në Kalimash i përgatitnim ushtarët në mënyrë sistematike dhe i vaksinonim.

Në fillim të marsit 1999 u transferuam në Babin, pastaj në Papaj, ku biseduam për mënyrën e hyrjes në kufi me mjete sanitare dhe barërat që nevojiteshin.

Më 8 prill 1998 na kanë njoftuar se do hymë në kufi dhe më 9 prill deri më 17 qershor, kur edhe kemi zbarkuar në Pejë, kemi qëndruar në bjeshkët e Koshares.

U ndamë në grupe. Në vijën e frontit, në “Rrasën e Koshares”, ishim: Unë, Ismet Avdimetaj dhe Miftar Zeneli.

Esenca ka qenë që me ua dhënë ndihmën e parë të plagosurve, për t’i larguar pastaj nga vija e frontit. Për këtë punë kishim një bunker. Pastaj, rastet e rënda i transportonim me një pizgauer nëpër rrugët e “sigurta” deri në Padesh, ku janë trajtuar e, pastaj, i kanë dërguar në Papaj, ku ka qenë Sylë Bruqi dhe tutje në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

U diskutua gjatë deklarata e Dik Martit për transplantim organesh. Keni ndonjë dyshim se kjo gjë mund të ketë ndodhur?
– Absolutisht jo. Dik Marti dhe Karla del Ponte duket haptazi se janë armiq të Kosovës.

Tash e sa vjet jemi duke biseduar me misionin “Arkobalena”, mision i mjekëve italianë që gjendeshin në Kosovë për transplant dhe kjo del të jetë e pamundur. Mungojnë gjërat teknike të sofistikuara për mirëmbajtje të organeve. Andaj, ajo që thotë Dik Marti është përrallë e lansuar me qëllim…

Mirëpo, Gjykata Speciale për Kosovën u themelua me këtë motivacion. Pra, për përndjekjen e këtyre rasteve, rasteve të vrasjeve e të tjera?
– Është mirë që u themelua, megjithatë. Ne nuk duhet të jetojmë me barrën psikike se a ka ndodhur apo jo.
I kemi rastet e Hagës dhe të gjithë deri tash u shpallën të pafajshëm…

Gjatë u përfol për vdekjen enigmatike të Agim Ramadanit dhe Sali Çekut. Ç’mund të thoni për këto raste?
– I kam të freskëta çdo herë rastet e shumicës së dëshmorëve që ranë në Koshare. Janë gjithsej 118 ushtarë të vrarë nga forcat çetnike serbe dhe 99 për qind të tyre ishin të rinj.

Lufta zhvillohej 20-50 metra distancë dhe plumbat vinin nga të gjitha anët. Në rastin e Agimit dhe të Salihut është vërtetuar nga ekspertët e fushës forezike se vdekja ka ardhur nga plumbat e ushtrisë serbe.

A i keni parë personalisht trupat e pajetë të Agimit dhe Salihut?
– Isha me katër të rinj, luftëtarë, që erdhën t’më ndihmonin për të tërhequr nga vija e frontit një luftëtar të plagosur. Ishte një djalë me mbiemrin Hoti, nga Juniku. Ishin afër një përroi te Varrezat e Koshares.

Këta djem kishin ardhur nga jashtë dhe nuk kishin kondicion të mjaftueshëm ta tërhiqnin të plagosurin. Rastësisht pamë një pizgauer serb dhe u frikësuam. Ata djem më thanë: “Doktor, ram në prit!”. U thashë: “Mos lëvizni!”.

Kur vështruam mirë pamë se pizgaueri serb ishte i zbrazët e rreth tij rroba të ushtrisë serbe, armatim e gjëra të tjera të luftës. Ushtarët serbë kishin dezertuar. U mundova me e ndez pizgauerin. Ata që ishin me mua bërtitnin nga frika se pizgaueri mund të jetë i minuar.

Në ato çaste më kanë thirr në radiolidhje “Herifat” (kështu ishte nofka e mjekëve gjatë luftës. Këtë nofkë na e vuri Agim Ramadani): “Kthehuni shpejt në bazë se dikush është plagosur rëndë!”. Vrapova nëpër një “rrugë” të thepisur.

Kur arrita, Agim Ramadani, nga plaga që kishte marrë, kishte vdekur. Plumbi e kishte qëlluar në kokë. Ndërsa, Salihun nuk e kam pa personalisht.

Dolën edhe listat e komisionit për vendosjen e statusit të pjesëmarrësve të luftës, veteranë, invalidë etj. A mendon se gjithçka ka shkuar sipas ligjit?
– Brigada jonë, apo ne, mjekët e kësaj brigade, i kemi listat e të plagosurve, çdo rast të plagosjes. Dhe, çdo pjesëmarrësi të luftës që ishte plagosur i lëshuam një vërtetim.

Madje, komisioni për vlerësim të rasteve na ftuan dhe ne punuam bashkë me ta për të qenë lista e përfituesve sa më korrekte.
Pse u frynë listat nuk e di…

A keni kërkuar ndonjë privilegj nga shteti i Kosovës?
– Jo, absolutisht. Nuk e kam, madje, as uniformën e luftës. E kam djeg. E kam ruajtur si kujtim vetëm një kapelë.

Ne, që luftuam në Koshare, u trajtuam keq nga shokët tanë.
Madje, u quajtëm brigadë e shkive dhe na u kthyen kallashnikovët e eprorëve të krahut tjetër të luftës. Ne u kërcënuam kur përmendëm emrat e eprorëve tanë. Na u mohua çdo e drejtë…

Tash keni përvojë në punën tuaj si kirurg. A e keni ndonjëherë ndjenjën e frikës në rastet e komplikuara?
– Paniku krijohet në rastet e dështimeve të shpeshta. Nuk është e lehtë kur njeriu ta beson jetën e tij, madje detyrohet të nënshkruaj këtë gjë. Familjarët, po ashtu, ta dhurojnë ty njeriun e tyre, duke të lutur, duke të përgjëruar për kujdes.

Ne punojmë në ekip: dy kirurgë dhe stafi ndihmës. E falënderoj Zotin që gjithmonë kam pasur sukses…

Shumica e mjekëve i kanë hapur edhe ordinancat specialistike, ku edhe e zhvillojnë aktivitetin e tyre mjekësor, e ku çmimet janë shumëfishë më të larta se në spitale. A është, vërtet, kështu?
– Edhe unë e kam ordinancën time në Pejë. Edhe ne i bëjmë llogaritë tona dhe nuk marrim më shumë se që na takon, se kemi ndërgjegje, kemi familjet tona që mund të pësojnë.

Megjithatë, gjithçka që kryhet në ordinancat private kryhet me mjete të sofistikuara dhe kujdesi është maksimal.

Pas orarit të gjatë të ditës, pa dyshim, keni nevojë edhe për relaks, a?
– E dua shumë bjeshkën, malin dhe dal shpesh atje për të dëgjuar cicërimën e zogjve, shushurimën e degëve të lisave, gurgullimën e ujit. Por, jam edhe instrumentalist i veglave popullore me tela dhe nganjëherë bëj muzikë për veten.

E, me obligimet në shtëpi?
– Këtu qëndroj keq, sepse jam në “orar” të punës 24 orë. Them, si u rriten dy djemtë e mi pa e parë unë mirë rritën e tyre?! Kur shkoj në shtëpi jam i lodhur, i rraskapitur dhe mezi pres të pushoj psikikisht, të fle.

Andaj, jeta familjare më mungon gjithmonë. Bashkëshortja ime është anesteziologe dhe është e lidhur me punën time. Ajo më kupton për punën, por e kupton edhe mungesën time dhe dëshirën për të shëtitur.

Ajo kujdeset për të gjitha obligimet familjare. Kjo nuk është në rregull, por nuk kam zgjidhje tjetër…

A do të vazhdoni të punoni punën e kirurgut edhe më tutje apo do të kërkoni ndonjë privilegj, siç kanë bërë të tjerët, në emër të luftës?
– Kurrë nuk kam kërkuar asgjë pse isha pjesë e luftës dhe nuk do të kërkoj. Luftëtarët e Koshares, e edhe mjekët atje, u diskriminuam në raport me luftëtarët dhe mjekët që ishin në zonat e tjera të Kosovës.

Unë, madje, nuk u pranova në mënyrën e rregullt për të specializuar pa intervenuar Nasim Haradinaj te Pleurat Sejdiu, edhe pse me dokumentacion isha krejtësisht në rregull! Sanije Thaqi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË