fbpx

“Situata e paqëndrueshme, mund të përshkallëzohet”, KFOR shton aktivitetin në veri

nga Revista Kosovarja

Të dielën e 24 shtatorit Serbia kreu agresion në territorin e Kosovës.

Në Banjskë të Zveçanit, si pasojë e një sulmi të armatosur mbi policinë e Kosovës, u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Që raste të tilla të mos përsëriten, forcat paqeruajtëse të NATO-s janë mobiliuzuar që të ofrojnë siguri në veri.

KFOR-i do të shtojë aktivitetin e saj në këtë pjesë të Kosovës.

“Situata e përgjithshme në Kosovë mbetet e paqëndrueshme dhe lehtë mund të përshkallëzohet”, thuhet në një përgjigje të KFOR-it.

Aleanca Veriatlantike planifikon që krahas shtimit të angazhimit të saj të ketë edhe më shumë trupa, për shkak të ngjarjes së 24 shtatorit.

“Më 28 shtator, Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi vendosjen e forcave shtesë, për të adresuar situatën aktuale. Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë gjenden në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë”, thuhet tutje në përgjigje.

KFOR-i kishte dërguar edhe trupa ushtarake edhe gjatë muajit maj, për shkak të tensioneve në veri.

” KFOR-i dislokoi rreth 500 trupa turke nga forca rezervë operacionale e NATO-s për Ballkanin Perëndimor, të cilët u zëvendësuan më pas në shtator nga trupat nga Bullgaria dhe Greqia. Forcat rezervë shtesë janë në nivel të lartë gatishmërie”.

Forcat paqëruajtëse në Kosovë i bëjnë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar.

“Është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Të gjitha palët duhet gjithashtu të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Klankosova.tv

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]