fbpx

S’kam guxim t’i them burrit se e dua shokun e tij!

nga Revista Kosovarja

Jam grua e martuar. E kam një djalë të vogël. Ndihem shumë keq për mendimet që më kalojnë nëpër kokë, por nuk di se si ta frenoj veten. Jeta ime familjare po turbullohet çdo ditë e më shumë, sepse jam dashuruar keq, por jo në burrin…

Jam martuar me mesit. Ma prezantoi tezja e burrit, të cilën e kishim fqinj. Më pëlqeu im shoq që në takimin e parë. Unë isha vajzë e vetme dhe prindërit më kishin qëndruar para e mbrapa gjatë gjithë kohës. Nuk kam pasur kurrë të dashur apo ndonjë histori dashurie përpara se ta njihja tim shoq.
Ai më pëlqeu që në takimin e parë dhe i thashë familjes se isha dakord që ta lidhja jetën me të.
Kështu, filluam të takoheshim gjithmonë e më shpesh derisa edhe bëmë fejesën.

E lumtur po, por jo si në filma
Nuk mund të them se ditën e fejesës isha aq e lumtur, siç ndodh në filma, por as nuk mund të them se isha e trishtuar. Ishte një fejesë e thjeshtë dhe unë ndihesha mirë. Nuk dyshova për asnjë çast se po merrja një vendim të gabuar. E dija shumë mirë se në rrethinën time nuk kisha për të pasur rast më të mirë. Iu gëzova faktit se do të shkoja të jetoja në qytet me një njeri që më pëlqente.
Brenda tre muajve bëmë dasmën. Nuk kaloi shumë dhe u bëmë me djalë. Im shoq mezi e priti këtë moment. Ishim një çift i qetë dhe nuk ndodhte të grindeshim me njëri-tjetrin.
Burri im kishte një shok të ngushtë që jetonte prej shumë vitesh në Zvicër. Gjithmonë më fliste për të, ose, më saktë, në çdo histori që më tregonte përmendej edhe emri i tij.
Në njëfarë mënyre, isha bërë kurioze ta njihja atë njeri. Më thoshte se e kishte si vëlla e shkuar vëllait…

Thuajse kishte vite që më njihte…
Një ditë im burrë më tha se kishte ardhur Arsimi, shoku i tij, me të shoqen e dy fëmijët dhe se e kishte ftuar në darkë në shtëpinë tonë, që të njihesha edhe unë me të, meqë, që kur isha martuar, nuk kisha pasur rastin ta takoja.
Ai erdhi me familjen e vet kah ora 8 e mbrëmjes. Unë kisha përgatitur darkë të mirë. Që kur e pashë më la përshtypje të mirë, ndoshta ngaqë ishte shumë i pashëm. Ishte burrë i gjatë e me trup të formuar.
E shoqja më dukej sikur ishte disa vjet më e vjetër se ai. Fëmijët i kishte si pëllumba. Akoma më shumë më pëlqeu Arsimi gjatë bisedës. Vetëm bënte shaka e qeshte me tim shoq. Ishte shumë i komunikueshëm dhe nisi t’më trajtonte menjëherë sikur kishte vite që më njihte. Edhe e shoqja ishte grua e afrueshme, andaj edhe e kaluam shumë mirë atë darkë në shtëpinë tonë.

Filloi t’më pëlqente shoku i burrit
Ata do të qëndronin në qytetin tonë, pra në Gjilan, tri javë. Takoheshim përditë me ta dhe organizonim aktivitete të ndryshme, që të kënaqeshin edhe ata, edhe fëmijët.
Me kalimin e kohës u afrova shumë me Arsimin. Më pëlqente të bisedoja me të. Më dukej sikur më kuptonte edhe për disa gjëra që im burrë nuk më kishte kuptuar ndonjëherë.
Gjithsesi, dua të them se Arsimi më pëlqente gjithmonë e më shumë.
E gjeja veten duke u përpjekur të rrija vetëm me të, vetëm e vetëm që të bisedoja. Më pëlqente të flisja me të. Fillova të mendoja vetëm për të…
Nuk e kuptoja se ç’ishte kjo që po më ndodhte…
Nga ana tjetër, burrit tim i vinte mirë që unë kisha zënë shumë miqësi me shokun e tij të ngushtë dhe as që i shkonte në mendje se kjo mund të ishte diçka e rrezikshme.
Dhe, sa më shumë kaloja kohë me Arsimin, aq më shumë i vija re të metat e tim burri! Nuk e di se si ndodhte, por shpesh e gjeja veten duke e kritikuar tim burrë pse nuk ishte si Arsimi…

Fillova ta xhelozoja gruan e Arsimit!
Më vjen turp ta pranoj, por fillova të ndieja xhelozi për gruan e Arsimit, që ishte aq me fat dhe kishte një burrë si ai. Mendoja se ajo nuk ishte aq e mirë sa Arsimi dhe përsëri kishte pasur fat që kishte gjetur një burrë të përkryer.
Fillova të doja të isha në vendin e saj, edhe pse më vinte turp nga kjo dëshirë e pakontrolluar.
Ato tri javë kaluan shpejt dhe Arsimi me të shoqen do të ktheheshin në Zvicër. U bëmë shokë edhe në “Facebook”, që t’i shkëmbenim fotografitë që bëmë gjatë qëndrimit të tyre në qytetin tonë.
Arsimi e përdorte më shumë se e shoqja “Facebookun”, prandaj edhe unë nisa të komunikoja me të. Ia nisja atij fotografitë dhe, ndonjëherë, i dërgoja edhe ndonjë mesazh, ku e pyesja se si ishte ai dhe familja e tij.
Ai tregohej gjithmonë shumë i sjellshëm në përgjigjet që më jepte. Unë mezi prisja të lexoja se çfarë më kishte shkruar dhe me mendjen time thurja lloj-lloj ëndrrash.

Burri fare nuk dyshon në mua!
Nuk e di se si nisi një lloj komunikimi, disi i rrezikshëm. Në fillim nuk kishte asgjë të keqe, por herë pas herë flisnim me kunja. Nuk guxoja as unë e as ai t’i thoshim gjërat troç, por ama ia lejuam vetes që të flirtonim në një mënyrë të kamufluar…
U bënë disa kohë që flisja rregullisht me të…
I tregoja edhe tim burri dhe thosha se përshëndetemi dhe pyesim për familjet e njëri-tjetrit.
E, tim shoqi as që i shkonte mendja te ndonjë gjë e keqe…

Hë, si do i vjen fundi punës sime?!
Me pak fjalë, më duket se për herë të parë në jetë po e përjetoj se çfarë është dashuria. Por, nuk dua as t’më paragjykoni, sepse nuk dua as të prish familjen time dhe as familjen e tij, por edhe vetes nuk mund t’ia fsheh këtë ndjenjë.
Megjithatë, kam shumë dilema brenda vetes…
Kam frikë se mos ai merr guximin të shkojë më larg sesa ato biseda në internet…
E, atëherë, çka do të bëja?! Dita /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]