fbpx

Supë me vezë e limon

nga Revista Kosovarja

Është një supë fantastike, që të kujton fëmijërinë, atëherë kur nëna e përgatiste menjëherë kur përfshiheshim nga ethet apo gripi.

E shëndetshme, e lehtë dhe plot shije, receta e supës së prerë me vezë e limon vijon të jetë një ndër traditat më fantastike të kuzhinës shqiptare.

Kjo supë, krahas vlerave kurative që ka kundër gripit dhe të ftohurës, është fantastike për të hapur oreksin e nepsin në vaktin e plotë të drekës por mund të konsumohet edhe gjatë vaktit të darkës.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer më sallatë të freskët jeshile, marinuar me limon e vaj ulliri. Por edhe byrekë të ndryshëm, sidomos ata të përgatitur me gjizë apo me hithra e lakra të egra.

Më poshtë recetën e përgatitjes së kësaj supe fantastike tipike shqiptare krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Supës së Prerë me Vezë e Limon

Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

1.5 litra lëng mishi apo kockash
4 lugë gjelle oriz
Një kokërr vezë
50 gr ose dy lugë gjelle gjalpë të freskët
Lëngu i një gjysme kokrre limoni
Majdanoz
Piper i zi

Përgatitja
Si fillim zjejmë mishin apo kockat përreth 2 orë. Në mënyrë që lëngu të marrë të gjitha vlerat e duhura të mishit apo kockave.

Në lëngun e mishit ose në ujë të valuar hedhim oriz të pastruar e të larë dhe e lëmë të zjejë në zjarr të ngadalshëm për 25-30 minuta.

Kur supa është gati e heqim nga zjarri, e lëmë të ftohet. Në momentin që është ende e vakët, e presim vezë dhe limon.

Për këtë, në një tas prej porcelani hedhim të verdhën e vezës ose një vezë të tërë, e rrahim mirë dhe më pas I shtojmë lëngun e limonit.

Këtë masë e shtojmë pak nga pak, tek supa duke e trazuar njëkohësisht që në mënyrë që masa të bëhet e njëtrajtshme.

Në fund, supës i hidhet pak gjalpë i freskët i skuqur, majdanoz i grirë shumë hollë si dhe piper i zi

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]