Protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike do të vazhdojë edhe këtë të premte, kanë njoftuar organizatorët e grupit “Asnjë cent më shumë”.
Pas suksesit të protestës së parë të mbajtur të shtunën, ku qindra qytetarë morën pjesë në sheshin e Prishtinës, organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët të mblidhen sërish këtë të premte për të vazhduar presionin ndaj institucioneve.
Në njoftimin e grupit thuhet se protesta e parë ishte e madhe, dhe ata synojnë ta bëjnë protestën e ardhshme edhe më të fuqishme.
Grupi ka paralajmëruar se ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike) pritet të marrë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, dhe qytetarët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet.
Detajet e protestës:
Data: E premte, 11 prill 2025
Ora: 12:00
Vendi: Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë
Protestuesit theksojnë se rritja e çmimit të energjisë do të ketë pasoja të mëdha për qytetarët, duke çuar në rritje të çmimeve të ushqimeve, produkteve bazë dhe shërbimeve, duke e bërë jetesën edhe më të shtrenjtë. Ata kërkojnë pezullimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se qytetarët nuk mund dhe nuk duhet të paguajnë për një krizë që nuk e kanë shkaktuar.
Organizatorët e ftojnë të gjithë qytetarët të mbështesin protestën, të ftojnë miq dhe të afërm dhe të bashkohen në shesh për të bërë një kërkesë të qartë dhe të fuqishme. Ata përfunduan me një thirrje për veprim: “Heshtja sot, kushton nesër”.
AsnjeCentMeShume #Protestojme✊