fbpx

Vaktet e shijshme dhe të shëndetshme që mund t’i merrni me vete në punë

nga Revista Kosovarja

Sa herë e keni menduar fjalinë “çfarë do ha sot për drekë në punë”?

Dhe sa herë të tjera jeni menduar që në darkën paraardhëse se çfarë do t’u jepni me vete fëmijëve për të ngrënë në shkollë?

Me poshtë ju tregoj disa ide të ushqimeve të shëndetshme, të cilat mund t’i konsumoni gjatë vaktit të ndërmjetëm (dhe jo vetëm) në punë ose në shkollë.

 ORIZI

Është një prej ushqimeve më të thjeshta e njëkohësisht më të mira për t’u gatuar e konsumuar gjatë vaktit të ndërmjetëm e jo vetëm. I zierë, i skuqur me pak vaj ulliri ekstra të virgjër, sushi apo risotto, orizi i shoqëruar edhe me perime bio, djathë ose fileto pule, është zgjidhja juaj e fillimit të javës sidomos, duke qenë se ofron një energji maksimale për organizmin

 VEZA

Jo vetëm ka një përmbajtje proteinike fantastike, por mund të gatuhet e të merret kaq lehtësisht me vete, sa që të gjithë nuk mund t’i thoni “jo”. Vezë e skuqur lehtë me pak vaj ulliri ekstra të virgjër, e zierë pak ose mesatarisht, e pjekur në furrë me djathë që në mëngjes, është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për t’u konsumuar në punë ose në shkollë në mesjavë, kur lodhja ka filluar të bëjë punën e saj. Është kaq e mirë, e thjeshtë dhe… e shendetshme (sidomos e shoqëruar me pak perime të freskëta, të ziera ose të pjekura lehtë, sipas dëshirës).

PASTA

Më mirë, më lirë, më shëndetshëm (sigurisht që në masën dhe me përbërësit shoqërues të duhur)… vetëm PASTA! E zierë “al dente”, me pak vaj ulliri ekstra të virgjër, me gjalpë me përqindje të ulët në yndyrë, të pjekura në furrë me perime, ose thjeshtë me djathë (ose kos me përqindje të ulët në yndyrë sipas dëshirës) janë ushqimi më i përshtatshëm për t’u bërë miku juaj i përditshëm. Çfarë të shtoj më tepër? Pasta mbetet pasta: dashuri më vete!

 BUKË INTEGRALE

Në fakt nuk dëshiroj t’a quaj “sandwich”, sepse 2 feta të zakonshme buke integrale, të cilat mund t’i shoqëroni me perime të freskëta si: sallatë jeshile, lakër e bardhë ose e kuqe, fileto pule e hollë, djathë sipas dëshirës apo legume të ziera ose të pjekura, bizele, fasule, misër, etj, do të ishin thjesht “2 feta buke të mbushura me energji”. Ideale për të enjten e të premten, apo jo?

 PATATE

Amidoni i patateve është një përbërës që jo vetëm kombinohet në mënyrë perfekte e të shëndetshme me çdo lloj perime, por edhe përshpejto ndjesinë e ngopjes, duke bërë që të rritet kohëzgjatja ndërmjet vakteve të ditës. Ju mund t’i merrni ato me vete të përgatitura në mënyra të ndryshme të thjeshta e të shpejta, si: të ziera, të pjekura, të shoqëruara me perime, djathë, vaj ulliri ekstra të virgjër, legume, etj. Super!

PERIME

Sigurisht! Perime të të gjitha llojeve, të përgatitura në mënyra të ndryshme, si: të freskëta, të ziera, të pjekura, me pak djathë, me pak vaj ulliri ekstra të virgjër, në sallatë, në shoqërim për pastën apo orizin, etj, perimet thjesht janë fantastike, të shëndetshme… dhe më kryesorja… të zgjidhin punë shpejt e shpejt!

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]