fbpx

Vezoret policistike si shkaktare të infertilitetit

nga Revista Kosovarja

 

Dr. Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Subspecialiste për infertilitet dhe IVF
SWISS Fertility Clinic – Klinika Zvicerane për Fertilitet
Tel: +383 44 111 934 (Viber/Whatsapp)

Një nga shkaqet pse një grua nuk mund të ngelë shtatzanë janë edhe të ashtuquajturat vezore policistike, të cilat janë një dukuri e shpeshtë te femrat, respektivisht pothuajse ҫdo e treta femër vuan nga ky sindrom.

Vezoret policistike në fakt janë pasojë e një ҫrregullimi në prodhimin e hormoneve që e rregulojnë ciklin menstrual të gruas. Ky sindrom haset në periudhën reproduktive të femrës (nga mosha 15 deri në 44 vjetë). Sipas disa studimeve, gati 70% e grave as që e dijnë se e kanë këtë problem në vezore, organe këto të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e qelizave vezë, respektivisht për aftësinë e një gruaje që të ngelë shtatzanë. Andaj, ҫdo vonesë e ciklit menstrual që nuk është pasojë e shtatzanisë, duke filluar qysh nga puberteti, është indikacion që femra ta viziton gjinekologun dhe ta verifikon apo përjashton këtë sindrom.
Ky sindrom e ka marrë emrin “vezore policistike” (apo shumë cista), meqë vezoret janë të mbushura përplot me cista të vogla ujore që përmbajnë në vete qeliza të papjekura vezë të cilat nuk arrijnë të zhvillohen deri në atë fazë që gruaja të mund të ngelë shtatzanë. Shkaktari i vërtetë i kësaj patologjie në vezore nuk dihet, por besohet se kryesisht ka të bëjë me gjenetikë dhe me sëmundjen e sheqerit.

Simptomat kryesore të këtij problemi në vezore janë:

  • Menstruacionet e parregullta të përcjellura me gjakderdhje të mëdha, kryesisht më të rralla se zakonisht, e madje ndonjëherë gruaja ka më pak se tetë cikle brenda vitit.
  • Hirzutizmi apo qimet e shtuara në fytyrë dhe në trup, si pasojë e prodhimit të shtuar të hormonit mashkullor (testosteronit) te ky ҫrregullim në vezore.
  • Vezoret e zmadhuara dhe të mbushura me shumë cista të imta, që zakonisht diagnostifikohen lehtë në ultrazë.
  • Obeziteti apo shtimi në peshë që paraqitet te rreth 80% e femrave me këtë sindrom.

Kurse simptome më të rralla të kësaj sëmundje janë: kokëdhimbja, rënja e flokëve dhe paraqitja e njollave të errëta në lëkurë në pjesë të caktuara të trupit.

Më e rëndësishmja është se sindromi i vezoreve policistike nuk i prek vetëm vezoret, por shkakton edhe një sërë ҫrregullimesh në organizëm, andaj edhe e ka marrë emrin “sindrom”. Pra, kjo sëmundje përveҫ që shkakton infertilitet, mund të ҫon edhe deri te shfaqja e sëmundjes së sheqerit, te shtypja e lartë e gjakut, te rritja e kolesterolit në gjak e deri te sulmi në zemër. Poashtu mund të shkakton depresion dhe ankth te gratë e atakuara, ndërprerje të kohë pas kohëshme të frymëmarrjes në gjumë si dhe të ҫon në shfaqjen e kancerit të mitrës respektivisht të endometriumit.

Për shkak të gjitha këtyre ҫrregullimeve që mund ta shoqërojnë këtë sëmundje, nevojitet diagnostifikim sa më i hershëm i saj, e që zakonisht arrihet në bazë të analizave të gjakut dhe ekzaminimit të organeve riprodhuese të gruas në ultrazë.

Shumica e grave me këtë sindrom paraqiten te mjeku vetëm kur kanë probleme për të ngelur shtatzanë. Duhet të ceket se rreth 70 -80% e grave me këtë patologji kanë pengesa me infertilitet apo me shtatzani. E edhe kur të ngelin shtatzanë, komplikimet e shtatzanisë janë dyfish më të larta te këto gra se sa te ato pa këtë patologji. Pra, te këto gra abortet dhe lindjet e parakohshme janë shumë më të shpeshta, si dhe paraqitja e diabetit dhe shtypjes së lartë në shtatzani janë shumë më frekuente.

Megjithatë, falë metodave të avancuara në trajtimin e infertilitetit, edhe këto gra mund të ngelin shtatzanë, ashtu që pikë së pari duhet te to të arrihet ovulacioni apo rritja dhe pjekja e qelizave vezë, meqë ky është problemi kryesor te gratë me vezore policistike. E për këtë tretman pacientet duhet t’iu drejtohen kryesisht gjinekologëve subspecialistë për infertilitet (sterilitet), meqë jo të gjithë gjinekologët kanë njohuri të mjaftueshme në këtë fushë.
SWISS Fertility Clinic – Klinika Zvicerane për Fertilitet
Tel: +383 44 111 934 (Viber/Whatsapp)

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]