fbpx

Yllka Gashi flet për ndikimin e “Zgjoi” tek gratë që përkundër dhimbjes asnjëherë nuk duhet dorëzuar

nga Revista Kosovarja

Për gati një çerek ore aktorja Yllka Gashi ka bashkëbiseduar me redaktorin përgjegjës të “Cineuropa”, Domenico la Porta, në lidhje me ndikimin e filmit dhe se çfarë do të nënkuptonte një nominim për “Oscars” për të gjitha gratë që ende përballën me vështirësi sociale dhe kulturore në botë.

Gashi e ka nisur bisedën duke treguar se për shkak të pandemisë ka qenë e vështirë për ekipin mirëpo ka shtuar se ka qenë e lumtur që sadopak ka pasur mundësinë që me film të udhëtoj nëpër vende të ndryshme.

“Aty ku kemi shkuar çdo herë sallat kanë qenë të mbushura dhe reagimet që kemi marrë kanë qenë shumë të ngrohta”. Jam mirënjohëse dhe e lumtur për ndikimin që kemi pasur me film. Ka qenë një vit i çmendur”, ka thënë Gashi.

E pyetur në lidhje me Fahrije Hotin dhe jetën e saj të cilën e portretizon në filmin nën regji të Blerta Bashollit ka thënë se ajo është një grua e mrekullueshme.

“Ka kaluar nëpër shumë gjëra në jetën e saj, mirëpo përkundër dhimbjes dhe pasigurisë asnjëherë nuk është dorëzuar dhe është aq inspiruese. Fahrija është një grua nga një fshat i vogël dhe ky fshat ka përjetuar një nga masakrat më të tmerrshme në vend gjatë luftës dhe të gjithë ishin dramatizuar dhe ka akoma njerëz të zhdukur edhe 22 vite pas luftës”, ka thënë Gashi. Ka shtuar se Fahrija është një drejtuese e zonja.

“Ajo e kishte karizmën, vizionin dhe asnjëherë nuk u dorëzua…”

Ka shtuar se ka qenë e impresionuar nga ajo dhe që kur e ka takuar në vitin 2011. “U bë ëndërr për mua që ta portretizoj atë pasi që nuk e ke këtë mundësi aq shpesh për të portretizuat karaktere të tilla të heshtura por të forta”, ka thënë Gashi.

Ka treguar se në shumë aspekte edhe vet është inspiruar nga Fahrija.

“Ajo ka bërë diçka nga asgjëja, ka ndryshuar gjëra për shkak të nevojës edhe për mua ky rol ishte nevojë por gjatë rrugës kam mësuar shumë për të duke e luajtur atë”, ka thënë Gashi. Ka treguar se gjatë realizmit të filmit i gjithë ekipi është dashur që të gjurmojmë në të kaluarën e tyre. Sipas Gashit gjithçka ka qenë si një lloj procesi edhe i kalimit të traumave të brendshme që lidhen me luftë. “Si një proces shërues”, ka theksuar Gashi.

“Mendoj se për shkak të saj dhe për shkak të mundësisë për të portretizuar atë janë bërë një person shumë më i mirë”, ka vijuar tutje ajo.

Sipas saj, kjo eksperienca ka bërë që ajo të jetë më shumë mirënjohëse dhe t’i cmojë ato që i ka në jetë. “Mendoj se të gjithë mund të lidhen me Fahrijen në shumë kuptimi kështu ka ndodh edhe me mua”, ka theksuar Gashi. Sipas saj nëse Fahrija është shembull sesi të gjithë mund të arrijnë t’i bëjë gjërat që dëshirojmë.

“Mendoj se gjithçka varet nga ajo që ne kemi në kokën tonë dhe në atë se sa shumë punojmë”, ka thënë Gashi. Sipas saj, Kosova nuk ka të bëjë vetëm me luftën dhe nuk ka të bëjë vetëm me traumat.

“Po, ne jemi një vend i vogël, ne jemi një vend i ri. Ne kemi kaluar shumë gjatë historisë, jo vetëm për shkak të luftës, por nga edhe nga shtypja që ka zgjatur me dekada. Por, atje ka shumë talent, njerëzit janë të rinj dhe rinia është shumë e bukur në Kosovë…”, ka thënë ajo. Ka theksuar shpreson që njerëzit që e shohin filmin të frymëzohen nga ky rrëfim por njëkohësisht të njihen edhe me Kosovën.

“Shpresoj që njerëzit që e shohin filmin tonë të kenë mundësinë dhe interesin të vizitojnë Kosovën dhe të takojnë shqiptarët e Kosovës sepse atje ka diçka…Është ai X faktori që e ka vendi ynë, rinia jonë!”, ka thënë ajo.

“Zgjoi” përcjell një kronologji të jetës së Fahrije Hoti. Kërkimin e vazhdueshëm për të gjetur burrin e saj, Bashkimin, të cilin e pa për herë të fundit më 25 mars të vitit 1999. Protestat e saj dhe të familjarëve të tjerë që janë në kërkim të të afërmve të tyre, si dhe boshtin e filmit, luftën e saj për pavarësi. Nisjen e një biznesi të vogël me gratë e Krushës, paragjykimet dhe fjalët e rrethit, janë një anë tjetër e monedhës.

Më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”. Kandidati i Kosovës për “Oscar” është i pari filmi tërësisht produksion vendor që ka arritur të hyjë në listë të ngushtë. Rrugën drejt “Oscarit” më herët e kishte shtruar filmi “Shok”. Regjisori britanik, Jamie Donoughue, me filmin me kastë nga Kosova, kishte arritur që të jetë në pesëshen e të nominuarve, në kategorinë e filmave të shkurtër më 2016. Anëtarët e Akademisë Amerikane të Filmit tashmë veç kanë nisur votimin.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]