Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur keqardhje për përplasjen me presidentin amerikan, Donald Trump, në Zyrën Ovale.
“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi ashtu siç duhej të ishte”, shkruan ai në një postim në X, sipas BBC, përcjell Insajderi.
“Është për të ardhur keq që ndodhi në këtë mënyrë. Është koha t’i rregullojmë gjërat“.
Ai përsëriti “angazhimin e Ukrainës për paqen“, duke shtuar se “askush nga ne nuk dëshiron luftë të pafund“.
“Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur për të sjellë paqen e qëndrueshme më afër“, deklaron tutje i pari i Ukrainës.
“Askush nuk dëshiron paqen më shumë se ukrainasit. Ekipi im dhe unë jemi gati të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe që zgjat“, shton presidenti ukrainas.
Zelensky tutje thotë se fazat e para në përfundimin e luftës duhet të përfshijnë “lirimin e të burgosurve dhe armëpushimin në qiell – ndalimin e raketave, dronëve me rreze të gjatë, bombave mbi energjinë dhe infrastrukturën tjetër civile – dhe armëpushimin në det menjëherë, nëse Rusia bën të njëjtën gjë“.
Presidenti Zelensky në rreshtat e fundit të deklaratës së tij përsërit mirënjohjen e Ukrainës për mbështetjen e mëparshme të SHBA ndaj tyre.
“Ne e vlerësojmë me të vërtetë sa shumë ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj”, shkruan ai në X.
“Dhe ne kujtojmë momentin kur gjërat ndryshuan kur Presidenti Trump i dha Ukrainës Javelins. Ne jemi mirënjohës për këtë“, tha presidenti.
Ai thotë gjithashtu se Ukraina është “gati” për të nënshkruar marrëveshjen e propozuar nga SHBA për mineralet.